Karadaku i Gjilanit triumfon në “Folk Fest”, Lorika Sulejmani dhe Ramë Isufi shpallen më të mirët
Shoqëria Kulturore Artistike “Karadaku” nga Gjilani ka arritur një tjetër sukses të madh në skenën kombëtare.
Në festivalin folklorik mbarëkombëtar të këngëve dhe valleve “Folk Fest”, që u mbajt më 13 dhe 14 shtator në Shtimje, valltarët gjilanas Lorika Sulejmani dhe Ramë Isufi u shpallën fitues të çmimeve kryesore.
Lorika Sulejmani, njëkohësisht edhe drejtoreshë e SHKA “Karadaku”, u vlerësua me çmimin “Valltarja më e mirë”, ndërsa Ramë Isufi u shpall “Valltari më i mirë” i festivalit.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë 12 shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke e bërë konkurrencën edhe më të fortë.
Suksesi nuk do të ishte i plotë pa përcjelljen e orkestrës fantastike nën udhëheqjen e Naser Zeqirit.
Ky nuk është çmimi i parë i fituar nga valltarët e “Karadakut”, të cilët tashmë njihen për paraqitjet e tyre të nivelit të lartë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.
‘Karadaku” vazhdon të mbetet një ndër ambasadorët më të denjë të kulturës shqiptare.