Karateisti i mirënjohur nga Gjilani, Alban Beqiri, është zgjedhur drejtor sportiv në Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK), pas aplikimit të tij në konkursin e shpallur zyrtarisht nga kjo federatë.
Pas përmbushjes së të gjitha kritereve të kërkuara, Beqiri u votua dhe u përzgjodh nga Bordi i FKK-së. Që nga e enjtja, ai ka marrë zyrtarisht detyrën, duke filluar një kapitull të ri në angazhimin institucional në sportin e karatesë.
Alban Beqiri është mbajtës i gradës së katërt Dan, të cilën e ka marrë në vitin 2022 para Komisionit Shtetëror. Ai njihet për njohuritë e tij të thella në karate, si dhe për përvojën dhe sukseset në organizime dhe gara ndërkombëtare. Për këto arsye, Bordi i FKK-së e përzgjodhi unanimisht në pozitën e drejtorit sportiv.
Beqiri ka qenë më parë garues i Klubit të Karatesë “Drita” nga Gjilani, ku ka marrë pjesë në shumë gara në disiplinat Kata, por veçanërisht në Kumite (luftëra).
Në vitin 2011, themeloi dhe drejton edhe sot Klubin e Karatesë “AS -Gjilan”, ku ka arritur suksese të shumta me gjenerata të reja. Si sportist, Beqiri ka qenë kampion dhe anëtar i reprezentacionit të Kosovës, duke u renditur ndër 10 karateistët më të mirë në kategorinë senior në vitet 2005, 2006 dhe 2007.
Si trajner i Klubit “AS”, ka drejtuar ekipin drejt suksesit, përfshirë titullin kampion ballkanik dhe vendin e tretë në Kampionatin Evropian. Në Kampionatin Botëror të vitit 2023 në Budapest, ka qenë trajner i ekipit të femrave, të cilin e udhëhoqi deri në finalen për vendin e tretë në botë.
Gjatë viteve 2020–2024, ka shërbyer si selektor i grupmoshave U14 në kuadër të Federatës së Karatesë së Kosovës.
Në aspektin akademik, Beqiri ka përfunduar të gjitha provimet në programin e Masterit për Trajner Sportiv (60 ECTS), të akredituar nga Komiteti Olimpik dhe Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit në UP. Aktualisht i ka mbetur vetëm mbrojtja e temës për të përmbyllur këtë nivel studimi.
Emërimi i Alban Beqirit vjen si një pranim i merituar i kontributit të tij shumëvjeçar në sportin e karatesë dhe pritet të sjellë energji dhe profesionalizëm të ri në Federatën e Karatesë së Kosovës.