Kartonët e kuq, makthi i Dritës

 

Tre kartonë të kuq në tri ndeshje radhazi janë kthyer në një makth të vërtetë për kampionin në fuqi, Dritën e Gjilanit. Dy prej tyre erdhën në ndeshjet evropiane, ndërsa i treti sot në Ferizaj, duke ngritur shqetësime serioze për disiplinën e skuadrës.

I pari që e la skuadrën me një lojtar më pak ishte Liridon Balaj, në ndeshjen kthyese ndaj Copenhagen-it në Prishtinë, pas një ndërhyrjeje krejtësisht të panevojshme në një pozitë jo të rrezikshme.

Më pas, në sfidën e rëndësishme kundër gjigantit rumun FCSB, ishte kapiteni Rron Broja që u ndëshkua me të kuq, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën e gjilanasve në arenën ndërkombëtare.

Dhe, në nisjen e edicionit të ri të Albi Mall Superligës, Drita u përball sërish me të njëjtin fat: Mbrojtësi Raddy Ovouka mori karton të kuq, duke e lënë skuadrën në disavantazh numerik në Ferizaj.

Këto raste, të cilat në dukje janë pasojë e pakujdesisë dhe mungesës së kontrollit të emocioneve, duhet patjetër të analizohen nga stafi teknik. Pa ndërhyrje serioze dhe masa disiplinore, ky trend mund të kushtojë shtrenjtë në vazhdim të sezonit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët