Kandidati për këshilltar komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avdyl Kastrati nga Mireshi, ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, duke theksuar se falë përkushtimit të tij, zhvillimi po vjen hap pas hapi edhe në fshatin Dobërçan (Mireshi).
Kastrati, i cili ishte një prej befasive të listës në zgjedhjet e fundit lokale me 559 vota, ka listuar disa prej zotimeve që po bëhen realitet në këtë vendbanim.
Ai ka theksuar se investimet e nisura janë dëshmi e qeverisjes me vizion, përkushtim dhe barazi për çdo pjesë të komunës.
“Me udhëheqjen e kryetarit Alban Hyseni, po dëshmohet çdo ditë se zhvillimi nuk ndalet te qendra, por përfshin çdo lagje e çdo fshat. Për herë të parë, po ndjehet fryma e barazisë në investime, duke u përfshirë edhe Mireshin në projekte të rëndësishme komunale,” ka theksuar Kastrati.
Ai ka bërë të ditur se projekte që po realizohen në Dobërçan (Mireshi): Rregullimi i ujësjellësit dhe furnizim me ujë 24 orë në ditë; Ndërtimi i stadiumit për komunitetin sportiv; Zgjerimi i hapësirave dhe shtimi i shërbimeve në Ambulancën e Mjekësisë Familjare; Mbështetje për mirëmbajtjen e hapësirave publike në bashkëpunim me komunitetin dhe ndërmarrjen “Tregu”; Rregullimi i rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës për një cilësi më të mirë jete.
Në fund, ai shtoi se qytetarët e Mireshit janë krenarë me punën që po bëhet, duke e cilësuar Alban Hysenin si “lider të Anamoravës që punon me zemër e përkushtim për çdo cep të Gjilanit”.


