Katër trajnerë nga Gjilani pjesë e kursit të parë UEFA GK–B në Kosovë

 

Afrim Shahini, Enver Sermaxhaj, Etrit Gagica dhe Artan Sadriu nga Gjilani janë përfshirë në kursin për trajnerët e portierëve UEFA GK–B, të organizuar për herë të parë nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Kursi, që do të zgjasë deri në prill të vitit 2026, po ndiqet nga 16 kandidatë dhe udhëhiqet nga instruktorët e UEFA-s, Frank Thieltges nga Gjermania dhe Tomislav Butina nga Kroacia. Përveç ligjëratave teorike, kandidatët do të zhvillojnë punë praktike, monitorime në klube dhe në fund do t’i nënshtrohen provimeve përfundimtare.

Instruktori gjerman Thieltges e cilësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm për futbollin kosovar:

“Për herë të parë në Kosovë kemi një licencë B për trajnerët e portierëve. Ky është një zhvillim që ndihmon në bashkëpunimin më të madh mes trajnerit të ekipit dhe trajnerit të portierëve. Është rruga e duhur përpara”.

Ndërsa kroati Butina u shpreh i impresionuar nga niveli i pjesëmarrësve:

“Në këtë kurs ka shumë përvojë dhe trajnerë të mirë nga Kosova. Përparimi brenda vetëm dy ditëve ishte më i madh se sa pritej. Mund të them se ky është një kurs shumë i suksesshëm”.

Ky program shihet si një hap i madh për zhvillimin profesional të trajnerëve të portierëve në Kosovë dhe është pjesë e strategjisë së Departamentit të Edukimit në FFK për ngritjen e standardeve të futbollit në vend.

 

Shpërndaj me të tjerët