KB Drita fiton Kupën, uron kryetari Hyseni

Kryetari Hyseni uron KB Dritën për fitimin e Kupës në Ligën e Parë të Kosovës

Pas fitores së KB Drita ndaj KB Prizreni me rezultat 106:88 dhe fitimit të trofeut të Kupës së Kosovës në Ligën e Parë, urime ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

“KB Drita fituese e Kupës në Ligën e Parë të Kosovës. Ekipi i qytetit tonë sonte fitoi finalen e Kupës së Kosovës në Ligën e Parë në basketboll dhe kjo fitore dëshmon rikthimin e fuqishëm të klubit dhe krenarinë tonë në basketboll”, ka deklaruar Hyseni.

I pari i Gjilanit ka theksuar se pret me padurim që gjatë këtij viti KB Drita të rikthehet në Superligë dhe t’ia kthejë qytetit nderin dhe krenarinë që i takon në basketbollin kosovar.

Skuadra gjilanase shkëlqeu në ndeshjen finale, duke dominuar nga fillimi deri në fund dhe duke e fituar Kupën me rezultat bindës 88:106. Finalja u zhvillua në Palestra Sportive Sezai Surroi, në Prizren.

Ndryshe, kryetari Alban Hyseni ka qenë vetë basketbollist i Dritës për shumë vite me radhë, duke kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e klubit, çka e bën këtë sukses edhe më domethënës për të në aspektin personal dhe sportiv.

Shpërndaj me të tjerët