Me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar, Klubi i Futbollit “Studenti” nga Dobërçani ka nisur programin festiv në nder të 50-vjetorit të themelimit të tij. Kjo ngjarje solemne mblodhi figura të shumta nga bota e sportit dhe komunitetit lokal, duke përkujtuar një rrugëtim gjysmë shekullor të një klubi që ka lënë gjurmë në historinë sportive të Komunës së Gjilanit.
Të pranishëm në këtë përvjetor ishin përfaqësues nga Federata e Futbollit të Kosovës, Lidhja Rajonale e Futbollit në Gjilan, si dhe përfaqësues të klubeve të njohura si KF Gjilani, KF Drita, KF Kika, KF Uniteti, KF Tërnoci dhe KF Dardana. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe ish-udhëheqës dhe ish-lojtarë të KF Studentit, përfaqësues të Shoqatës “17 Shkurti” dhe të Këshillit të Fshatit Dobërçan.
Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe Gjeneral brigade Dr. Sefer Isufi, këshilltar ushtarak i Presidentes së Republikës së Kosovës.
Ceremonia nisi me një përmbledhje të historikut të klubit, i cili u themelua në vitin 1975 dhe për pesë dekada ka qenë shtyllë e rëndësishme e jetës sportive në fshat. KF Studenti ka qenë hapësirë e formimit të shumë të rinjve, jo vetëm si sportistë, por edhe si qytetarë të përkushtuar dhe aktivë. Klubi mbetet aktiv edhe sot, me pjesëmarrje në garat vendore dhe me plane konkrete për zhvillim të infrastrukturës dhe gjeneratave të reja.
Në fjalën e tij, kryetari aktual i klubit, Jeton Haliti, theksoi përkushtimin për ta çuar përpara këtë trashëgimi të çmuar sportive. Në emër të themeluesve foli Rexhep Kryeziu, ish-portier dhe kontribuues i pandalshëm i klubit. Fjalë emocionuese mbajti edhe gjenerali Sefer Isufi, duke rikujtuar me krenari kujtimet si futbollist i këtij klubi.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, foli legjenda e futbollit kosovar dhe drejtori aktual i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili vlerësoi lart rolin e klubit në promovimin e vlerave sportive ndër vite.
Përmes një video-incizimi, përvjetorin e uroi edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Organizatorët shpërndanë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan ndër vite, përfshirë edhe mirënjohje post mortum për ish-figurat e ndjera të klubit.
Pjesë e programit ishte edhe një video dokumentare emocionuese që pasqyroi rrugëtimin e klubit nga dita e themelimit deri më sot, me rrëfime nga protagonistët që përjetuan sfidat e zhvillimit të sportit para dhe pas luftës.
Në përmbyllje të ngjarjes, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej rasti me gatime tradicionale.