KFOR-i Turk dhuron pajisje për Spitalin e Gjilanit

Donacioni prej tri makinave moderne rrit efikasitetin e shërbimeve në lavanderi

Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan ka pritur në takim përfaqësuesit e KFOR-it Turk në Kosovë, të udhëhequr nga Major Sadettin Bal.

Drejtori ekzekutiv i Spitalit, Dr. Afrim Cana, uroi mirëseardhje delegacionit dhe falënderoi për kontributin e vazhdueshëm që KFOR-i Turk ka dhënë në sistemin shëndetësor të Kosovës, e në veçanti në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Gjatë takimit u bë edhe pranimi i donacionit prej tri makinave për lavanderinë e spitalit, që do të rrisin kapacitetet dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe teknike.
Sipas drejtorit Cana, ky kontribut do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të punës dhe cilësisë së shërbimeve 24-orëshe të spitalit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin me KFOR-in Turk.

Major Sadettin Bal nga ana e tij u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ekziston mes KFOR-it Turk dhe Spitalit të Gjilanit, duke theksuar se ky donacion do të ndihmojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve teknike të lavanderisë. Ai po ashtu shtoi se bashkëpunimi me institucionet shëndetësore dhe arsimore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në takim u diskutua edhe për shkëmbimin e përvojave profesionale, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe efikasitetit të punës në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan.

 

 

Shpërndaj me të tjerët