Kirurgu gjilanas Sevdail Mustafa pjesë e themelimit të Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve në Tiranë
Kirurgu gjilanas, me prejardhje nga Lugina e Preshevës, Dr. Sevdail Mustafa, ka marrë pjesë më 6 dhe 7 shkurt në Tiranë në Takimin Themelues të Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve, një ngjarje historike për bashkëpunimin profesional mbarëshqiptar në fushën e kirurgjisë.
Në cilësinë e delegatit nga Lugina e Preshevës, Dr. Mustafa ishte një nga nënshkruesit e aktit themelues të këtij kolegji, së bashku me përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare.
Ky hap i rëndësishëm synon forcimin e lidhjeve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e kirurgjisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, në përputhje me standardet më të larta botërore.
Dr. Mustafa ka theksuar se ky bashkëpunim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e standardeve profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kirurgjisë shqiptare, veçanërisht për gjeneratat e reja.
Takimi u shoqërua edhe me emocione të veçanta, ku ai u ndje krenar që ishte pjesë e kësaj ngjarjeje së bashku me profesor Avdyl Krasniqin, kirurg dhe mentorin e tij gjatë dy viteve të specializimit, si dhe me profesor Medi Agollin, i cili gjatë specializimit në QSU “Nënë Tereza” i kishte ofruar mbështetje të veçantë profesionale.
Ai ka përmendur gjithashtu me respekt të veçantë profesor Edmond Qelikun, kirurg në Klinikën e Parë, nga i cili kishte përfituar njohuri të thella në kirurgjinë abdominale.
Sipas Dr. Mustafës, ky takim përfaqëson pikënisjen e kirurgjisë pan-shqiptare, ndërsa njohja me kirurgë shqiptarë nga SHBA-ja, Gjermania dhe Austria rrit edhe më shumë optimizmin për të ardhmen e profesionit.
Për kirurgët nga Lugina e Preshevës, ky takim shënon një pikë lidhëse drejt Kongresit të Parë Pan-Shqiptar të Kirurgëve, i cili pritet të mbahet në tetor të këtij viti.
