Klubi Gjilani Judo mbyll vitin me sukses dhe krenari, rreth 80 medalje të fituara

 

Një vit i mbyllur me sukses dhe krenari për Klubin Gjilani Judo, i cili ka përmbyllur sezonin garues duke arkëtuar rreth 80 medalje nga xhudistët e tij në gara të ndryshme.

Trajneri i KJ Gjilani, Ibrahim Hasani, ka theksuar se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm jo vetëm për nga rezultatet sportive, por edhe për nga puna edukative me sportistët.

“Sot jo vetëm që e përfunduam vitin me afër 80 medalje, por edhe shpërndamë mirënjohje për xhudistët e dalluar, si vlerësim për përkushtimin, disiplinën dhe rezultatet e tyre gjatë gjithë vitit”, ka thënë Hasani.

Ai shtoi se këto mirënjohje janë simbol i punës së ndershme, respektit dhe karakterit që po formohet çdo ditë në tatami.

 “Po rriten kampionë, jo vetëm në sport, por edhe në jetë”, u shpreh Hasani.

Në këtë rrugëtim të suksesshëm kanë kontribuar edhe kryetari i klubit, Esat Selimi, si dhe ndihmëstrajneri Drin Rexhepi, të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre kanë qenë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi.

Trajneri Hasani falënderoi sportistët e klubit, prindërit që u kanë besuar fëmijët e tyre, si dhe gjithë stafin drejtues dhe profesional që qëndron pas këtyre arritjeve.

Nga Klubi Gjilani Judo u theksua se familja e madhe e xhudos po rritet dhe po forcohet çdo ditë, ndërsa synimet për vitin e ardhshëm janë edhe më ambicioze.

“Krenar për secilin prej jush. Vazhdojmë edhe më fort në vitin e ardhshëm”, thuhet në mesazhin përmbyllës të klubit.

Gjilani Judo – disiplinë, respekt, kampionë.

Shpërndaj me të tjerët