PDK ndez atmosferën zgjedhore në Përlepnicë, Kmetoc, Verbicë e Shillovë të Muhaxhirëve
Në zemër të Anamoravës, aty ku tradita dhe historia kanë mbajtur gjallë frymën e qëndresës kombëtare, PDK-ja zhvilloi një nga tubimet më të fuqishme të saj në kuadër të fushatës zgjedhore.
Përlepnica, Kmetoci, Verbica dhe Shillova e Muhaxhirëve u shndërruan në epiqendër të mobilizimit politik, duke rikujtuar figurat e mëdha të kësaj ane, heroin Zija Shemsiun, profesorin e paharruar Xhavit Ahmetin dhe dhjetëra veprimtarë të tjerë të lirisë.
Në këto tubime, Shefik Surdulli, kandidat për këshilltar komunal nga radhët e PDK-së në Gjilan, ishte një nga zërat më të fuqishëm të mbrëmjes.
Me fjalimet e tij të mbajtura në të gjitha këto vendbanime, Surdulli u bëri thirrje qytetarëve për unitet dhe ndryshim:
“Bashkë do ta rikthejmë stabilitetin dhe perspektivën e qytetit tonë.”
Ai paralajmëroi se Gjilani nuk mund të vazhdojë me keqqeverisje e deritashme, duke shtuar:
“Qytetarët tanë meritojnë punë, zhvillim dhe dinjitet. Nuk ka më kohë për eksperimente të dështuara.”
Atmosfera e zjarrtë e tubimeve tregoi qartë se PDK po shihet gjithnjë e më shumë si alternativa e vetme për ndryshim.
Në fjalët e tij, Surdulli kujtoi edhe themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët padrejtësisht ndodhen në Hagë:
“Kauza e tyre është kauza jonë. Liria nuk negociohet dhe historia nuk harrohet.”
Në fund, mesazhi u përmbyll me një thirrje të fuqishme:
“12 tetori nuk është vetëm një datë zgjedhjesh, është dita kur Gjilani do të ngrihet për të rimarrë dinjitetin e humbur. Vota është arma jonë më e fuqishme.”
Tubimi i mbrëmshëm nuk ishte vetëm një takim zgjedhor, ishte një demonstrim force, një valë emocioni dhe një sinjal i qartë se gara në Gjilan do të jetë e zjarrtë.