Kolegët dhe miqtë e Selamiut: Njeri i mirë, korrekt dhe sportist i respektuar

 

Pas ngjarjes tragjike që tronditi Gjilanin, kolegët, shokët dhe miqtë e Selamit Hasani kanë reaguar me komente prekëse, duke e cilësuar atë si një njeri të mirë, korrekt, bashkëpunues, të edukuar, sportist dhe qytetar të respektuar.Por edhe djalin e tij, Edmondin.

Miqtë, me të cilët Selamiu  ka kaluar pothuajse çdo ditë, tregojnë se ai ka qenë gjithmonë i qetë, i këndshëm dhe i dashur në çdo takim dhe tubim. Kolegët e tij nga argjendaria, nëpër statuset e tyre në rrjetet sociale, thonë se Selamiu  ka lënë një boshllëk të madh në familje dhe në shoqëri.

“Faleminderit Zotit që ju njoha si njerëz të mirë e të edukuar,” ka shkruar njëri ndër kolegët e tij, duke theksuar vlerën e madhe që Selami solli në jetën e tyre.

Një tjetër mik ka shkruar me nostalgji:
“Edi, shoku do na mungosh shumë. Qysh nga dje më vijnë në mend gjithë ato kohë dhe momente që i kaluam bashkë. Janë kaq shumë, nuk di cilën ta veçoj, sepse të gjitha ishin të mira e të paharruara.”

Ndërkaq, një koleg tjetër i argjendarisë ka shkruar shkurt:
“Ikët fizikisht, por kurrë nga mendjet dhe zemrat tona.”

Përveç që ka qenë një qytetar i njohur dhe i respektuar në Gjilan, Selamiu  ka qenë edhe sportist i hershëm. Ai ka luajtur për skuadrën e Dritës në kohën kur klubi garonte në Ligën e Dytë të Kosovës, dhe ndoshta edhe në Ligën e Parë gjatë viteve ’70.

Familjarët kanë njoftuar se sot do të bëhet varrimi i babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të cilët do të varrosen pas faljes së namazit të ikindisë në varrezat e qytetit të Gjilanit.

 

Shpërndaj me të tjerët