Kosova ka regjistruar një fitore të madhe në transfertë ndaj Sllovenisë, duke triumfuar me rezultat të pastër 0–2 dhe duke prerë kështu një biletë historike për Play Off-in e Botërorit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me “Dardanët” që u vendosën menjëherë në kërkim të avantazhit.
Vetëm pas gjashtë minutash lojë, Fisnik Asllani ndezi festën e tifozëve kuqezi-blu me një goditje tokazi me të djathtën, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë Kosovës epërsinë e hershme.
Vendasit tentuan të reagojnë gjatë pjesës së parë, por formacioni i trajnerit Foda qëndroi i organizuar dhe i disiplinuar, duke mos lejuar hapësira në mbrojtje.
Në pjesën e dytë gjërat u bënë edhe më të favorshme për Kosovën, pasi Sllovenia mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Stojanovic.
Presioni i vazhdueshëm i Dardanëve u konkretizua në minutën e 64-t, kur një autogol i çuditshëm i Karniçnik, nga jashtë zonës, vulosi rezultatin 0–2. Kosova tashmë e ka vëmendjen te shorti i 20 nëntorit, ku do të mësohen kundërshtarët e Play Off-it, sfida që mund ta çojnë ekipin drejt ëndrrës së madhe, Botërorit 2026.
