Kosova ka pranuar sot kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger”, të prodhuar nga kompania turke Baykar, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Sipas tij, pajisjet kanë mbërritur para afatit të planifikuar, ndërsa pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë kanë përfunduar trajnimin për përdorimin e tyre.
“Dronët ‘Skydagger’ ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikazë të tipit FpV – RTF (Ready to Fly) janë të pajisur me mjete shpërthyese për të goditur objektiva statike dhe lëvizëse të armikut,” ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Modeli Skydagger RTF është i gatshëm për përdorim të menjëhershëm, duke përfshirë të gjitha komponentët e nevojshëm si transmetuesin, marrësin dhe bateritë. Ai arrin shpejtësi deri në 130 km/h dhe ka rreze veprimi deri në 10 kilometra.
Përveç përdorimit luftarak, këta dronë mund të shërbejnë edhe për misione vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.
Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri të plotë, proces që ka nisur në vitin 2018 dhe pritet të përfundojë brenda dhjetë vjetëve.