Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2024 nxjerr në pah mangësitë serioze në ndëshkimin e zyrtarëve që shkelin të drejtat e njeriut në Kosovë. Sipas raportit, Qeveria ka ndërmarrë hapa të dobët dhe jokonsistent në identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e tyre, duke krijuar boshllëqe në sundimin e ligjit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) raporton se ka qenë disa herë shënjestër e fushatave shpifjeje dhe sulmeve, kur ka mbrojtur gazetarë dhe media. Zyrtarë qeveritarë, përfshirë pjesëtarë të partisë në pushtet dhe liderë politikë, janë përfshirë në këto sulme, duke minuar besimin e publikut tek mediat. Në disa raste gazetarët janë detyruar në vetcensurë, ndërsa të tjerëve u janë ofruar përfitime financiare për raportime pozitive ose për braktisjen e hetimeve.
Kosova ka shënuar rënien më të madhe në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete, dhe ka humbur pozitën më të mirë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Kjo rënie vjen pas dy vitesh me shifra alarmante, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Raporti përmend gjithashtu miratimin e ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, i cili parashihte licencimin e mediave online dhe gjoba deri në 40 mijë euro, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, duke vënë në dukje tensionin mes rregullimit ligjor dhe lirisë së mediave.
Ky raport është një thirrje për institucionet kosovare që të veprojnë urgjentisht, të forcojnë mekanizmat e ndëshkimit për shkelësit e të drejtave të njeriut dhe të mbrojnë lirinë e shtypit, e cila po minohet nga presioni politik dhe veprimet e grupeve të organizuara.