Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Gjatë kësaj konference, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se në orët e para të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.
Po ashtu, u njoftua se sipas informacioneve të marra nga KQZ, procesi i votimit ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimi në Republikën e Kosovës, me përjashtim të ndonjë vonese disa minutëshe në ndonjë vendvotim.
Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.
Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 3,467 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.
Në këtë konferencë u njoftua e procesi i votimit të sotshëm zhvillohet për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale.
“Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93 subjekte politike, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 5,419 kandidatë për Zgjedhjet për Kuvende Komunale”, u njoftua në konferencë.
Në këtë konferencë të parë, KQZ ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese: të drejtën e votes, si dhe u njotuan se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku janë caktuar të votojnë.
#Konferenca e dytë e KQZ-së mbahet në orën 11:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë.
