Pas raportimit të këtij rasti, në Kosovë është shkaktuar bujë, veçanërisht nga partitë opozitare dhe opinioni publik, të cilët kanë kërkuar sqarime të plota për procesin e zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka pranuar sqarimin zyrtar nga kompania CETIS, lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Sipas njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit. Për shkak se sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
CETIS ka marrë përgjegjësinë e plotë për gabimin teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie, që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre.
Kompania ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin dhe ka konfirmuar se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
KQZ ka bërë të ditur se për këtë çështje është njoftuar Prokuroria e Shtetit, ndërsa të bashkëngjitur ka publikuar përgjigjen zyrtare të kompanisë CETIS në gjuhën angleze dhe përkthimin e saj në shqip.
Ndërkohë, partitë opozitare dhe opinioni publik kanë reaguar ashpër pas këtij rasti, duke e cilësuar atë si shqetësues për integritetin e procesit zgjedhor dhe duke kërkuar hetim të detajuar dhe transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse.


