Në Gjilan po vazhdojnë punimet në objektin modern që do të shërbejë si qendër për qëndrim ditor për personat e moshuar, bujtinë për studentë dhe kuzhinë popullore, një projekt që po realizohet me investim prej 2.5 milionë euro.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot kantierin e ndërtimit për të parë nga afër ecurinë e punëve, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për qytetarët.
“Përshëndetje nga objekti i ri për qëndrim ditor për të moshuar,” ka shkruar ai në rrjete sociale, duke ndarë pamje nga vendpunishtja.
Punimet për këtë qendër nisën më 4 tetor 2024, dhe pritet që pas përfundimit, aty të ofrohen shërbime për 100 të moshuar, 200 shujta ditore për familjet në nevojë, si dhe strehim për 30 studentë që do të kenë mundësinë të banojnë në kushte të përshtatshme.
Ky projekt shihet si një ndër investimet më me ndikim social në Gjilan, duke bashkuar kujdesin për të moshuarit, mbështetjen për familjet në nevojë dhe përkrahjen për studentët.


