Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot Bacën Pajazit Zymeri, simbol i përkushtimit dhe sakrificës për çështjen kombëtare, duke e nderuar me titullin e lartë “Nderi i Qytetit”. Ky vlerësim është një mirënjohje e përjetshme për jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.
Që nga viti 1969, kur iu bashkua Ballit Kombëtar në Austri, Baca Pajazit mbeti në vijën e parë të veprimtarisë kombëtare, duke kontribuuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës në mërgatë dhe duke bashkëpunuar me figura të shquara si Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave historike të vitit 1981 në Zvicër, përballoi arrestime e tortura, por asnjëherë nuk u tërhoq nga rruga e lirisë.
Kontributi i tij përfshin ndihmën e vazhdueshme për bashkatdhetarët në mërgim, mbështetjen financiare për fondin “Vendlindja Thërret” dhe angazhimin si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 121 gjatë Betejës së Pashtrikut.
Gjilani nderon e kujton përjetë emrin dhe veprën e tij.