Kryetari Hyseni viziton kompaninë “SPHINX L.L.C” dhe qendrën “Avedo” në Gjilan

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vazhduar me aktivitetet e tij në terren, duke vizituar kompaninë “SPHINX L.L.C” dhe qendrën moderne të thirrjeve “Avedo”.

Gjatë vizitës, Hyseni vlerësoi lartë punën dhe kontributin e kompanisë “SPHINX L.L.C”, të cilën e cilësoi si një histori suksesi që ka shtrirë ndikimin e saj në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 “Kjo kompani, që përfaqëson markën ndërkombëtare HSG Laser, është bërë emër i njohur për shitjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e makinerive CNC Fiber Laser, si dhe për trajnimin profesional të operatorëve. Me qindra klientë në tërë Kosovën, ajo përfaqëson shembullin më të mirë të inovacionit dhe përkushtimit që po e vendos Gjilanin në hartën e zhvillimit teknologjik,” tha Hyseni.

Në vijim të vizitave, kryetari Hyseni ndaloi edhe në qendrën “Avedo”, një nga qendrat më moderne të thirrjeve në qytet.

Drejtuesit e qendrës e njoftuan atë për mënyrën se si po zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke krijuar vende të reja pune për të rinjtë e Gjilanit, të cilët po tregojnë profesionalizëm dhe aftësi të larta komunikimi.

“Këta janë shembuj të qartë të rinisë dhe biznesit gjilanas që po ndërtojnë të ardhmen me energji, dije dhe inovacion. Gjilani ynë ka potencial dhe frymë zhvillimi që po dëshmohet çdo ditë,” ka theksuar Hyseni.

Shpërndaj me të tjerët