Kuadër i ri shkencor nga Gjilani, Eros Halili përfundon edhe masterin në afat të rregullt

 

Eros Halili, mësimdhënës i Fizikës në shkollën e mesme të ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ka mbrojtur me sukses tezën e masterit në Departamentin e Fizikës, pranë Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore në Prishtinë.

Tema e tij ishte: “Përdorimi i simulimeve FLUKA për sigurinë dhe kontrollin e cilësisë (QA/QC) në radioterapi”.

Ky punim shkencor synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe cilësisë në procesin e radioterapisë, një fushë me rëndësi të veçantë në luftën kundër kancerit.

Halili cilësohet si një nga kuadrat e rinj shkencorë në ardhje, i rrallë në Gjilan, nga i cili pritet që shumë shpejt të vazhdojë edhe studimet e doktoratës, duke pasur parasysh talentin, përkushtimin dhe seriozitetin e tij profesional.

Ai ka shkëlqyer gjatë gjithë etapave të shkollimit, nga arsimi fillor e deri te studimet pasuniversitare.

 

Halili është gjithashtu certifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Mbrojtje nga Rrezatimi (IAEA) në modulet: “Bazat e rrezatimit dhe pasojat e ekspozimit ndaj rrezatimit”, “Siguria dhe cilësia në radioterapi” dhe “Fizika & teknologjia e rrezatimit”. Ai është gjithashtu Anëtar i Asociuar i Federatës Evropiane të Organizatat për Fizikë Mjekësore, ku ndjek trajnime të ndryshme në fushën e fizikës mjekësore.

Pas mbrojtjes së suksesshme, Eros Halili shprehu falënderim të veçantë për mentorin e tij, Prof. Asoc. Gazmend Nafezi, për udhëzimin dhe mbështetjen e pakursyer, si dhe për anëtarët e komisionit: Prof. Dr. Naim Syla dhe Prof. Asoc. Fisnik Aliaj, për mbështetjen dhe sugjerimet e vlefshme.

Një falënderim i posaçëm iu drejtua edhe familjes së tij, për sakrificat dhe përkrahjen e vazhdueshme në këtë rrugëtim.

Shpërndaj me të tjerët