Kujtohet Selami Osmani – Bezi: Një figurë e paharruar e qytetit dhe sportit

Një jetë për sportin dhe komunitetin.

Selami Osmani – Bezi nuk kujtohet vetëm si ish-president i klubit të futbollit  Drita në Gjilan, por si një personalitet i rrallë: human, dorëdhënës dhe bashkues, që i dha zemrën qytetit të tij dhe ngjyrave bardh e kaltër.

Në një postim prekës, në llogarinë e tij në Facebook, Arben Hyseni, miku i tij i afërt për shumë vite, e kujton Bezit me fjalët që lindin nga respekti dhe mirënjohja:

“Sa bukur vishej i gjithë qyteti ynë me ngjyrat bardh e kaltër, sa krenari, sa emocion e sa pasion përjetohej në çdo cep të tij kur vinte koha për një ndeshje futbolli. E gjithë atmosfera ngjasonte me një festë të përbashkët, ku edhe qielli dukej sikur e merrte një ngjyrë tjetër,  më të qartë, më të pastër, sikur për të nderuar një qytet që jetonte me shpirtin sportiv.

Në mesin e kësaj atmosfere të veçantë, emri i Selami Osmanit – Bezit, jehonte me krenari. Ai nuk ishte vetëm një president i klubit, por një simbol i përkushtimit, pasionit dhe dashurisë së madhe për sportin. Bezi ishte shembulli më i mirë i asaj që do të thotë të jetosh me futbollin, për futbollin, por mbi të gjitha me dashurinë për vendin dhe komunitetin.

Për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin nga afër, Bezi ishte më shumë sesa që dha për sportin,  ishte një figurë e respektuar, një model frymëzimi për brezat e rinj dhe një zë i paqes në kohë sfidash. Ishte një bashkues i rrallë i njerëzve, një person që gjithmonë sillte pozitivitet dhe respekt, pavarësisht rrethanave.

Sot, kujtimi për Selami Osmanin – Bezit vazhdon të jetojë në zemrat tona. Në çdo flamur bardh e kaltër që valëvitet, në çdo fushë ku rrotullohet një top futbolli, dhe në çdo zemër që rreh për këtë qytet dhe për këtë dashuri të përbashkët. Ai ishte dhe mbetet një nga ata njerëz që nuk harrohen kurrë, la gjurmë, sepse dha shumë për sportin dhe komunitetin.”

 

 

Shpërndaj me të tjerët