Nga Murat Mustafa
Rasti i fundit i shpërndarë përmes një video, ku nxënësit shihen duke dëmtuar innventarin dhe me sjellje të çmendura. Duhet të dini, që ky nuk është incident i vetëm dhe i izoluar në shkollat e Kosovës, por pasqyrë e një sëmundjeje të thellë shoqërore.
Pse, sulmet janë
menjëhershme dhe të vazhdueshme, por edhe kërcënime ndaj mësimdhënësve dhe heshtje sistematike e dhunës, që përdoret nga nxënësit me përkrahje të disa prindërve.
Vetëm në Kosovë, mësimdhënësi shpallet fajtor publikisht, dhe atë nga situata të inskenuara siç është rasti i fundit për ngacmim seksual.
Pa hetim, pa fakte, pa të drejtë dhe pa mbrojtjeje.
Prindër të revoltuar që vijnë në shkollë, në qytet dhe në Facebook, “analistë” dhe “expertë” anonimë në rrjete sociale dhe media të etura për klikime. Të gjithë gjyqtarë, askush përgjegjës.
Por kur nxënësit rrahin njëri-tjetrin, shkatërrojnë inventarin shkollor, kërcënojnë mësues apo sjellin kaos në klasë, atëherë nis heshtja kolektive.
Aty, ku duhet të kërkohet mirëkuptim, aty justifikohet dhuna dhe aty ku faji relativizohet.
Fëmijët e sotëm nuk janë problem sepse “janë fëmijë”.
Problemi është se janë rritur pa kufij, pa përgjegjësi dhe pa edukatë bazike.
Kanë gjithçka materiale, por nuk njohin respektin. Kjo nuk është dështim i shkollës, ky është produkt i prindërimit të papërgjegjshëm.
Roli i prindërve, përgjegjësi që po shmanget.
Fëmijët e sotëm, në shumicën e rasteve, nuk u mungon asgjë materiale.
Kanë telefona, internet, luks dhe liri pa kufi. Ajo që u mungon thellësisht është edukata. Dhe kjo nuk është faj i shkollës dhe mësimdhënësit, por “dhuratë” e prindërve të tyre.
Prindër, që arsyetojnë çdo sjellje të gabuar të fëmijës, që sulmojnë mësuesin para se të pyesin fëmijën e tyre, dhe që e shohin shkollën si armik e jo si partner.
Kur nxënësit demolohen, rrihen mes vete, ofendojnë, kërcënojnë apo shkatërrojnë pronën shkollore aty fillon heshtja. Aty fillon mbrojtja. Aty relativizohet dhuna.
Por kur një mësimdhënës reagon, shpesh edhe i provokuar deri në ekstrem, atëherë kërkohet kokë turku.
Sot fëmijët me ndihmën e prindërit është “Boss” në shkollë.
Prindërit kanë keqkuptuar gjithçka, edhe pse t’i mundohesh, që t’i edukosh fëmijët e tyre, këta thonë: mosni. se po m’i shkakton stres e bullizim.
Disa prindër edhe qortimin po e quajnë dhunë.
Mediat dhe rrjetet sociale gjykatë pa ligj
Një pjesë e mediave dhe rrjeteve sociale janë shndërruar në tribunë linçimi.
Pa verifikim, pa etikë dhe pa përgjegjësi.
Siç është rasti i inskenuar, për kinse ngacmim seksual.
Askush nuk pyet: çfarë ndodhi para kësaj? Sa herë është provokuar mësimdhënësi? A ka raportime të mëhershme?
Kjo mënyrë e raportimit nuk informon, por helmon opinionin publik.
Institucionet arsimore, në vend që të mbrojnë procesin arsimor dhe dinjitetin e profesionit të mësimdhënësit, zgjedhin heshtjen, ose kanë reagimin selektiv.
Kjo heshtje nuk është neutrale, është bashkëfajësi.
Mësimdhënësi sot është figura më e pambrojtur në sistemin arsimor: i sulmuar nga prindërit, i ofenduar nga qytetarët, i linçuar në rrjetet sociale, i përdorur nga mediat , i braktisur dhe i poshtëruar nga institucionet.
Me këtë logjikë, nuk po ndërtojmë arsim, por po e varrosim autoritetin e shkollës.
Nëse çdo reagim i mësimdhënësit shikohet me dylbi, ndërsa çdo sjellje e nxënësit justifikohet, atëherë pyetja nuk është pse po ikin mësuesit nga profesioni, por pse ende ka nga ata që qëndrojnë.
(Autori është mësimdhënës me përvojë të gjatë dhe konsulent profesional pedagogjik)
