Një kujtim që nuk shuhet lehtë
Kanë kaluar plot 40 vite nga një nga momentet më të lavdishme të futbollit gjilanas.
Një ekip i mbushur me talent, pasion dhe përkushtim arriti të shpallej kampion i Ligës së Parë të Kosovës, atëherë niveli i tretë i futbollit të ish-Jugosllavisë, duke fituar të drejtën e inkuadrimit në Ligën e Dytë Federative, një rang tejet i lartë e cilësor për kohën.
Kapiteni dhe gjenerata e artë
Ekipi i asaj kohe, i prirë nga kapiteni Nehat Osmani, vëllezërit Skender dhe Naser Bunjaku, Muharrem Sahiti, Sabri Dërmaku së bashku me shokët tjerë të skuadrës, grumbulluan 52 pikë, pesë më shumë se ndjekësi i afërt, Buduçnosti i Pejës.
Ky sukses i madh ishte dëshmi e një gjenerate që e identifikoi Gjilanin si një vatër futbolli në gjithë Kosovën.
Një derbi që bëri histori
Pamjet e ruajtura nga ajo kohë dëshmojnë për atmosferën e zjarrtë në stadiumin e mbushur plot, kur gjilanasit u përballën me Buducnostin.
Ishte një derbi i zjarrtë, i vendosur me rezultat minimal 1:0 në favor të gjilanasve.
Një ndeshje që nuk mbeti vetëm si sfidë sportive, por u shndërrua në një festë qytetare, e cila edhe sot, pas 40 vitesh, kujtohet me mall dhe krenar
Legjendat që erdhën për të parë
Ajo që e bëri edhe më të veçantë këtë moment ishte prezenca e disa futbollistëve të gjeneratës së artë të Prishtinës, si Fadil Vokrri, Shefqet Sinani dhe Erdogan Celina, të cilët kishin ardhur për të ndjekur derbin dhe për të parë nga afër ekipin gjilanas që po shkruante historinë.
Një trashëgimi që mbetet
Ky sukses, i cili këtë vit po feston 40 vjetorin e tij, mbetet një nga momentet më të ndritura të futbollit gjilanas.
Është një kujtim krenarie për ata që ishin në fushë, për ata që e panë nga tribunat dhe për gjithë qytetin që edhe sot e konsideron këtë brez si plejadën e artë të sportit lokal.