Kur të tjerët pushojnë, ata stërviten, pingpongu në Gjilan nuk njeh verë

 

Edhe pse temperaturat janë të larta dhe muaji korrik zakonisht shënon pushim për shumicën e aktiviteteve, në sallën e gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ritmi nuk ndalet. Ekipi i djemve “Drita” dhe ekipi i vajzave “Gjilani” në pingpong po vazhdojnë stërvitjet intensive 7 ditë në javë, pa asnjë ditë pushim.

Trajneri i të dy ekipeve, Naser Hasani, thekson se kjo përkushtim është i domosdoshëm për të mbajtur formën e lartë dhe për të qenë të gatshëm për çdo sfidë që sjell sezoni. “Pingpongu ka specifikat e veta. Shumë ndeshje zhvillohen në mënyrë individuale, prandaj kërkohet përgatitje konstante për secilin sportist,” thotë Hasani.

Në mesin e sportistëve, spikat emri i vogëlushes Zana Bllaca, vetëm 9 vjeç, por tashmë kampione e Kosovës në kategoritë U-9, U-11, U-13 dhe U-15, një talent i rrallë që po e vendos Gjilanin në hartën e pingpongut kombëtar.

Në kategorinë U-17, dy vajza të tjera,  Adea Kulla dhe Diora Dervodeli, pritet të jenë mes katër më të mirave në Kosovë, duke dëshmuar se Gjilani po rrit breza të rinj me potencial të jashtëzakonshëm në këtë sport.

Por përkushtimi dhe talenti nuk mjaftojnë gjithmonë. Trajneri Hasani shpreh shqetësimin e tij për mungesën e donatorëve dhe mbështetjes financiare për ekipin e vajzave. “Për djemtë kemi një sponsor që na ndihmon, por për vajzat ende jemi pa përkrahje të qëndrueshme,” tregon ai.

Aktualisht, në stërvitje marrin pjesë mes 10 deri në 12 pingpongistë, ndonëse me mungesa të përkohshme për shkak të pushimeve verore. E megjithatë, energjia dhe dëshira për të avancuar nuk mungojnë.

Ky përkushtim i pandalshëm është një shembull i rrallë në sportin vendor dhe një thirrje e qartë për institucionet dhe bizneset lokale: Gjilani ka kampionë, por ata kanë nevojë edhe për mbështetje.

 

 

Shpërndaj me të tjerët