Shoqata Kulturore-Humanitare “Kurexhajt” u ka bërë thirrje të gjithë banorëve dhe bashkëvendësve të fshatit që të marrin pjesë në një aksion të përbashkët pastrimi, i cili do të mbahet të dielën, më 13 korrik, duke filluar nga ora 10:00.
Ky aksion vjen si përgjigje ndaj nevojës për të liruar rrugën që çon për në fshat nga degët dhe vegjetacioni i dendur që ka penguar makineritë e kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Gjilanit për realizimin e projektit të rregullimit të rrugës.
Nga vetë banorët, për dy ditë me radhë, është pastruar një pjesë e konsiderueshme, por siç thuhet në njoftimin e shoqatës, “ende ka shumë punë për të bërë dhe kërkohet mobilizim i të gjithëve që t’i hapet rruga finalizimit të këtij projekti të rëndësishëm për fshatin tonë”.
Përmes kësaj thirrjeje, banorët e Kurexhajve po tregojnë edhe një herë vullnetin për të kontribuuar në të mirën e përbashkët dhe për të përshpejtuar realizimin e një projekti që ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe qasjen e tyre infrastrukturore.