Kush ishte Jakup Berisha? Ai ishte më shumë se një futbollist apo mësues, ishte simbol i përkushtimit, dijes dhe qëndresës në kohët më të vështira të sportit dhe arsimit në Kosovë.
Në moshë të shtyrë, ai u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pasur njerëzore, arsimore dhe sportive, që do të mbetet gjatë në kujtesën e Gjilanit dhe më gjerë.
Jakup (Abdullah) Berisha ishte një nga figurat më emblematike të futbollit gjilanas dhe kosovar.
Me një karrierë të gjatë si futbollist, trajner, veteran sportiv dhe zyrtar i futbollit të Kosovës, rrugëtimi i tij ishte histori frymëzimi, pasioni dhe qëndrese.
Ai nuk ishte vetëm pjesë e historisë së sportit, ai ishte vetë historia e saj. Jakupi ishte një enciklopedi e gjallë, një thesar i mbushur me dije dhe kujtime.
Deri vonë ruante një memorie të jashtëzakonshme dhe një kthjelltësi mendore të rrallë, duke mbajtur mend me përpikëri ngjarje, situata dhe emra nga kohë shumë të hershme e të vështira.
Jo shumë kohë më parë, pata rastin të realizoja dy shkrime me të (dita24h.com), ku me qetësi, elegancë dhe saktësi rrëfente ngjarje nga jeta sportive dhe arsimore e Gjilanit.
Ishte kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoje me të, koha kalonte pa u ndjerë dhe gjithmonë mbeteshim të habitur se sa shpejt iknin orët.
Ai kishte kulturë të lartë komunikimi, respekt të thellë për bashkëbiseduesin dhe një edukatë shembullore.
Fliste me pasion për sportin, arsimin dhe historinë, gjithmonë i matur, i qetë dhe me një oratori të pasur.
Ishte korrekt, i urtë dhe i sinqertë, duke dëshmuar njerëzi dhe fisnikëri në çdo takim.
Në aspektin sportiv, Jakup Berisha ishte futbollist i spikatur i kohës së tij.
Ka luajtur për “Crvena Zvezdën” e Gjilanit, “Metohinë” e Prizrenit dhe “Trepçën” e Mitrovicës. Ishte reprezentues i juniorëve të Jugosllavisë, si shqiptari i vetëm i asaj gjenerate, një arritje e jashtëzakonshme për kohën dhe rrethanat e vështira në të cilat jetonte.
Ai njihej si sportist i disiplinuar dhe teknik i hollë. Stili i tij elegant, shikimi i mprehtë i lojës, teknika e lartë dhe vrapimi i pandalshëm e bënin të veçantë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, asnjëherë nuk u ndëshkua me karton, nuk lëndoi asnjë lojtar dhe as nuk u lëndua vetë, falë disiplinës, korrektësisë dhe kujdesit të lartë profesional.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Jakup Berisha vazhdoi kontributin e tij si trajner dhe drejtues sportiv.
Nga viti 1973 deri më 1975 drejtoi “Crvena Zvezdën” e Gjilanit, ndërsa nga viti 1982 deri më 1984 ishte trajner i parë i KF Drita.
Në vitet ’90, pas ndarjes së sportit kosovar nga strukturat serbe, ai u zgjodh për dy mandate të plota anëtar i Federatës së Futbollit të Kosovës, me përgjegjësi për Rajonin e Ferizajt, duke dhënë kontribut të çmuar në organizimin e futbollit në kohët më të errëta.
Krahas sportit, ai nuk e ndërpreu kurrë misionin e tij si edukator. Jakup Berisha ishte mësues në Shkollën Fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, ku punoi me përkushtim dhe u respektua thellësisht nga nxënësit dhe kolegët e tij, deri në pensionim.
Mësuesi Jakupi do të mbetet gjatë në kujtesën e gjilanasve për qetësinë shpirtërore, edukatën e lartë, korrektësinë, oratorinë e matur dhe përgjegjshmërinë në punë.
Elegant në paraqitje, zotëri i vërtetë, i urtë në sjellje dhe i palëkundur në vlera.
Jakup Berisha nuk ishte vetëm një emër në librat e historisë së futbollit kosovar.
Ai ishte një simbol i përkushtimit ndaj sportit, arsimit dhe qëndresës në kohët më të vështira.
Figura dhe vepra e tij do të mbeten frymëzim për brezat e rinj që synojnë ta ndërtojnë Kosovën mbi dije, vlera dhe dashuri për atdheun.
Kujtimi për Jakup Berishën do të jetojë gjatë në zemrat e atyre që patën fatin ta njohin dhe ta dëgjojnë.

