Labirinti dardan i Smirës edhe në pasaportën e re të Republikës së Kosovës

 

Në pasaportën e re të Republikës së Kosovës është përfshirë një simbol i lashtë, por me domethënie të thellë historike, një labirint i stilizuar, që sipas profesor Agim Agushit, rekordmen në librin Guinness, është pikërisht labirinti dardan i gjetur në fshatin Smirë të komunës së Gjilanit.

Ky motiv i lashtë nuk është i panjohur për banorët e Smirës, pasi fshati ka vite që e ka vendosur këtë labirint si pjesë të logos së tij zyrtare, duke e identifikuar veten me një trashëgimi unike kulturore e historike.

Sipas prof. Agushit, Smira është një nga vendbanimet më të vjetra të Dardanisë Antike. Në vitin 1988 aty është gjetur një mozaik me labirint dardan mbi 2000 vjeçar, i cili sot ruhet në Muzeun Historik të Kosovës si dëshmi e gjallë e identitetit tonë antik.

Por labirinti nuk ndalet me kaq. Ai ka zbukuruar edhe fanellën e Kombëtares së Kosovës në futboll, duke shërbyer si një simbol që lidh sportin me historinë dhe krenarinë tonë kombëtare.

Fakti që ky simbol tani gjendet edhe në pasaportën kosovare, dokumentin që bartim me vete kur përfaqësojmë shtetin në çdo cep të botës,  është një dëshmi se historia, identiteti dhe rrënjët tona të lashta po bëhen pjesë e krenarisë sonë moderne.

 

 

Shpërndaj me të tjerët