Strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan kanë përmbyllur sot fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke ritheksuar mobilizimin e tyre politik në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët.
LDK-ja në Gjilan shprehet se po hyn në zgjedhje me shpresë dhe besim të madh se qytetarët do ta vlerësojnë rolin e saj historik në ruajtjen e lirisë dhe demokracisë së vendit. Sipas strukturave të degës, kandidatët që përfaqësojnë Gjilanin vijnë nga fusha të ndryshme profesionale, me integritet të lartë moral dhe kredibilitet publik.
“Bashkë do të vazhdojmë të jemi gardianë të demokracisë, zhvillimit dhe rikthimit të madh të LDK-së”, thuhet mes tjerash në deklarim, duke shtuar se besimi i qytetarëve do të shpërblehet me punë të ndershme dhe angazhim të vazhdueshëm për të mirën e Gjilanit.
LDK ripërsëriti mesazhin se “Gjilani e Anamorava janë braktisur nga qeveria, por jo nga LDK”, duke theksuar vendosmërinë për të qenë pranë qytetarëve dhe sfidave të tyre.

