Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar rezultatet nga numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke sjellë ndryshime në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave të fundit, me 98.70 për qind të vendvotimeve të numëruara (2,799 nga 2,836), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur 13.28 për qind të votave, çka i siguron 15 mandate deputetësh, duke rikthyer kështu një ulëse në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 50.81 për qind të votave dhe 57 mandate, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.35 për qind dhe 22 mandate.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.52 për qind të votave dhe 6 mandate, ndërsa Lista Serbe ka marrë 4.55 për qind të votave, duke siguruar 9 mandate.
Bazuar në rezultatet aktuale, Fadil Haderxhonaj nga LDK-ja hyn në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga PDK-ja mandatin e humb Bekim Haxhiu.
KQZ ka bërë të ditur se numërimi i votave me postë po vazhdon, ku deri më tani janë përpunuar 73.79 për qind e tyre, çka lë të hapur mundësinë për ndryshime të tjera në rezultatet përfundimtare.

