Në lagjen “Dardania” të Gjilanit, mes një atmosfere të ngrohtë dhe pjesëmarrjeje qytetare, Lidhja Demokratike e Kosovës prezantoi zyrtarisht kandidatin e saj për kryetar komune , Arbër Ismajlin. Tubimi u zhvillua në një hapësirë të hapur, në praninë e liderëve të partisë, veprimtarëve të hershëm, të rinjve, grave, intelektualëve dhe shumë qytetarëve që me entuziazëm i dhanë mbështetje kandidaturës së Ismajlit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij u shpreh se Arbër Ismajli është një figurë që përfaqëson vlerat e vërteta të qytetit, i rritur në Gjilan, me rrënjë të thella në këtë komunitet dhe me njohuri të thellë për sfidat e përditshme të qytetarëve. “Arbëri nuk është produkt i zyrave e as i rrjeteve sociale. Ai është biri i këtij qyteti, me përkushtim dhe plane konkrete. Nuk vjen për të treguar, por për të dëgjuar dhe vepruar. Ai është i juaji, është i Gjilanit,” tha Abdixhiku.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e cilësoi mbrëmjen si një kthesë historike për qytetin. “Nga këtu, nga lagjja e rezistencës, po nisim rrugën drejt fitores. Me Arbërin si kandidat dhe me përkrahjen e qytetarëve, Gjilanit do t’i kthehet nami si qendër zhvillimi, dijeje dhe kulture.”
Vetë kandidati për kryetar, Arbër Ismajli, i emocionuar dhe i frymëzuar nga përkrahja e madhe, tha se kjo është dëshmia më e qartë se qytetarët e Gjilanit duan ndryshim. “Entuziazmi që pashë në sytë tuaj, duartrokitjet dhe fjala juaj e ngrohtë më dhanë forcën e plotë për ta çuar këtë rrugëtim deri në fund. Ne nuk kemi luksin të humbasim më kohë , është koha për kthesë. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm bashkë.”