Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar kandidatët për disa komuna të Anamoravës për zgjedhjet lokale që priten, por jo për të gjitha. Deri më tani janë zyrtarizuar emrat për Gjilanin, Vitinë, Novobërdën dhe, jo për Kamenicën.
Në Gjilan, kandidati i LDK-së do të jetë Arbër Ismajli, një emër i njohur në skenën politike lokale, me përvojë të mëhershme në administratë dhe qeverisje lokale.
Në Viti, partia ka vendosur të garojë sërish me Sokol Halitin, kryetarin aktual të kësaj komune, i cili do të kërkojë edhe një mandat të ri me mbështetjen e votuesve vitias.
Ndërsa në Novobërdë, kandidat i zyrtarizuar është Bajrush Ymeri, një figurë e njohur dhe e respektuar në këtë zonë.
Sa i përket Kamenicës, emri i kandidatit ende nuk është zyrtarizuar, me arsyetimin se janë në fazën e konsultimeve dhe përllogaritjeve politike. Megjithatë, sipas burimeve të afërta me strukturat e partisë, emri më i përfolur si kandidat është ai i Shaip Surdullit, profesor i Matematikës dhe ish-kryetar i kësaj komune.
Zyrtarizimi i plotë pritet në ditët në vijim, kur LDK do të dalë me emrin përfundimtar edhe për Kamenicën.