Ligjëratë vetëdijesuese nga FSK në shkollën “Mulla Idrizi”” në Velekincë

 

Në kuadër të angazhimeve për edukimin dhe vetëdijesimin e nxënësve mbi çështjet e sigurisë, në SHFMU “Mulla Idrizi” në Velekincë u mbajt një ligjëratë edukative nga pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të fushatës “Si ta parandalojmë rrezikun nga përdorimi i mjeteve piroteknike”.

Ligjërata u zhvillua nga rreshterët Driton Cakaj dhe Durim Halimi, pjesëtarë të EOD – Kompanisë së Deminimit, të cilët përmes shembujve praktikë dhe përvojës së tyre profesionale i informuan nxënësit për rreziqet serioze që paraqesin mjetet piroteknike dhe pasojat që ato mund të kenë në shëndetin, jetën dhe mjedisin.

Gjatë këtij takimi, nxënësit u edukuan për rëndësinë e shmangies së përdorimit të mjeteve piroteknike, mënyrat e parandalimit të incidenteve, si dhe për domosdoshmërinë e raportimit të çdo rasti të dyshimtë tek institucionet kompetente.

Ligjëruesit theksuan se vetëdijesimi dhe informimi i hershëm janë ndër faktorët kyç në ruajtjen e sigurisë personale dhe kolektive.

Nxënësit treguan interesim të madh dhe u përfshinë aktivisht në diskutime, duke parashtruar pyetje dhe duke përfituar njohuri të vlefshme për sjellje të sigurta në situata potencialisht të rrezikshme.

Drejtori i shkollës, z. Zaim Zymeri, falënderoi pjesëtarët e FSK-së për ligjëratën edukative dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në ndërtimin e një kulture të sigurisë tek brezat e rinj.

Në fund, shkolla shprehu mirënjohje për arsimtaren Pranvera Beqiri, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në organizimin e këtij aktiviteti, i cili kontribuoi ndjeshëm në rritjen e vetëdijes dhe njohurive të nxënësve për sigurinë.

 

Shpërndaj me të tjerët