Përmbyllje e suksesshme e semestrit me profesorin vizitor Lukas Mandl në Fakultetin e Shkencave Sociale
Gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2025/2026, Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan pati kënaqësinë të angazhojë si profesor vizitor eurodeputetin dhe Doktor Honoris Causa të UKZ-së, z. Lukas Mandl.
Gjatë këtij semestri, profesori Mandl zhvilloi ligjërata me studentët e programit Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane, duke ndarë me ta përvoja të drejtpërdrejta praktike nga fusha e politikës evropiane, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ligjëratat e tij kontribuan ndjeshëm në zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, duke ndërlidhur teorinë me praktikën bashkëkohore.
Lidhur me këtë bashkëpunim, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. Selim Dalu, theksoi se angazhimi i profesorëve me përvojë ndërkombëtare përbën një vlerë të shtuar për procesin mësimor dhe përgatitjen profesionale të studentëve.
“Sjellja e praktikave më të mira evropiane në auditorët tanë është një nga prioritetet tona.
Profesor Mandl ka kontribuar ndjeshëm në pasurimin akademik të studentëve tanë dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të fakultetit”, u shpreh ai.
Fakulteti i Shkencave Sociale mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të avancojë cilësinë e mësimdhënies përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe angazhimit të profesorëve me përvojë të dëshmuar, në funksion të përgatitjes së studentëve për sfidat e tregut global dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

