Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër pas dy rasteve që kanë tronditur opinionin publik: ngjarjes tragjike të sotme dhe dhunës grupore ndaj një të miture, të ndodhura brenda vetëm dy ditësh në qytet.
Në një postim në Facebook, Haziri ka shprehur shqetësimin e tij për transformimin e imazhit të Gjilanit, nga “qytet i paqes dhe i respektit” në një vend të shënuar nga dhimbja e madhe dhe kronika e zezë.
“Brenda dy ditësh, Gjilani është tronditur nga dy ngjarje të rënda – dhuna grupore ndaj një të miture dhe vrasja e trefishtë e sotme, me një të plagosur. Këto duhet të jenë alarm për të gjithë,” ka thënë Haziri.
Ai ka dënuar ashpër aktet e fundit, duke kërkuar nga organet kompetente zbardhjen deri në fund të rasteve dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
“Është e dhimbshme që prej epitetit ‘qytet i paqes’ e ‘i respektit’, Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme,” ka shtuar ai.
Haziri u ka shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.