Malësia e Bujanocit themelon “Fondi Humanitar Molla Reka”

 

Malësia e Bujanocit ka zyrtarizuar themelimin e Shoqatës “Fondi Humanitar Molla Reka”, një nismë e kahershme e banorëve dhe dashamirëve të kësaj treve, e cila synon ndihmë për nevojtarët dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Vullnetarët e Malësisë kishin nisur aktivitetin e radhës të premten në fshatin Zarbincë, me qëllim pastrimin e objektit të ish-librarisë dhe shkollës.

Megjithatë, për shkak të hapjes zyrtare të shoqatës, aktiviteti u përqendrua vetëm në pastrimin e hapësirave të librarisë, ndërsa pastrimi i shkollës do të vazhdojë javën e ardhshme.

Lajmin e ka bërë të ditur prijësi i kësaj nisme dhe organizator i aktiviteteve, imami i xhamisë së Zarbincës, Samir Jakupi, i cili ka theksuar se mungesa e kohës pamundësoi përfundimin e pastrimit të të dy objekteve.

“Për shkak të pamundësisë kohore nuk arritëm ta përfundojmë edhe pastrimin e shkollës, andaj ramë dakord që javën e ardhshme ta vazhdojmë këtë nismë deri në pastrimin e plotë të të dy objekteve dhe të ambientit përreth tyre”, ka thënë Jakupi.

Ai ka shtuar se themelimi i një fondi humanitar ka qenë kërkesë e vazhdueshme e bijve dhe dashamirëve të Malësisë.

“Falë Zotit, kjo nismë sot po merr formë edhe zyrtarisht me hapjen e Shoqatës ‘Fondi Humanitar Molla Reka’. Selia zyrtare e shoqatës do të jetë objekti i ish-librarisë. Falënderojmë Kryetarin dhe Kuvendin Komunal të Bujanocit për dhënien e lejes për shfrytëzimin e këtij objekti”, ka deklaruar ai.

Sipas Jakupit, të gjitha informacionet lidhur me funksionimin e fondit, aktivitetet, transparencën financiare, xhirollogarinë bankare dhe strukturën udhëheqëse do të publikohen së shpejti në faqen zyrtare të fondacionit, sapo ajo të vihet në funksion.

“Përmes këtij fondi synojmë transparencë, ndihmë për nevojtarët dhe zhvillim e mirëmbajtje të Malësisë sonë, në përputhje me vlerat tona kombëtare dhe fetare. Ne e hodhëm hapin e parë, tani është radha e të gjithë atyre që e duan këtë vend dhe besojnë se puna e sinqertë për vendlindjen është nder dhe përgjegjësi”, ka përfunduar Jakupi.

Nga shoqata bëhet e ditur se Malësinë e presin shumë aktivitete dhe projekte në të ardhmen, për të cilat qytetarët do të njoftohen me kohë.

Shpërndaj me të tjerët