Marrëveshje për bashkëqeverisje në Gjilan: drejt unitetit dhe qeverisjes së përgjegjshme
Në Gjilan është nënshkruar një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme, e cila synon të reflektojë vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie.
“Sot nënshkruam një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që bashkon, që punon me transparencë dhe që vendos interesin publik mbi gjithçka,” thuhet në njoftimin e bërë publik.
Në deklaratë thuhet se kjo qeverisje synon të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime, me vizion dhe përgjegjësi.
Falënderim i veçantë u është shprehur kryetarit të degës së LDK-së në Gjilan, z. Lutfi Haziri, dhe kryetarit të degës së PDK-së, z. Riad Rashiti, për gatishmërinë, vizionin dhe frymën e bashkëpunimit që po ndërtohet për të mirën e qytetit.
“Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë, me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë,” përfundon deklarata.


