Në qendër të qytetit të Bujanocit do të mbahet marsh protestues paqësor me moton “Pa dhunë, për paqe dhe për drejtësi”, në kujtim të Arbenitit, i cili humbi jetën një muaj më parë në një ngjarje tragjike.
Në njoftimin e Këshillit Organizativ thuhet:
“Para një muaji, shokut tonë ia morën jetën padrejtësisht, nga një dorë po aq e re sa e tija. Është e hidhur dhe e pabesueshme që rinia jonë të shuhet nga dora e vet, që një zemër kaq e re të ndalojë së rrahuri nga një dorë po aq e re. Humbja e Arbenitit nuk është vetëm e familjes së tij, por është plagë për të gjithë ne.”
Organizatorët theksojnë se qëllimi i marshit është ngritja e zërit kundër dhunës dhe padrejtësisë:
“Nuk duhet të lejojmë që cikli i dhunës të vazhdojë të na rrëmbejë. Duhet të çohemi, të dalim, të flasim. Të mos qëndrojmë më në heshtje, sepse ajo nuk na mbron më, ajo vetëm ushqen padrejtësinë.”
Marshi nis sot nga ora 14:00 në sheshin kryesor të Bujanocit, ku qytetarët do të bashkohen për të kërkuar paqe dhe drejtësi.
“Për të përkujtuar Arbenitin, një jetë që u ndërpre padrejtësisht, por që na dha forcën për ndryshim.”