“Math 4 Talents” në Gjilan hap dyert për nxënësit e talentuar dhe trajnerët e matematikës

Fillon edicioni i dytë i projektit “Math 4 Talents”, i cili ka për qëllim identifikimin, përkrahjen dhe avancimin e nxënësve të talentuar në matematikë, si dhe përgatitjen e tyre për gara komunale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij projekti, ftohen nxënësit e klasave V dhe VI që shfaqin interesim dhe prirje në matematikë të paraqiten në shkollat e tyre përkatëse dhe të shprehin interesimin pranë drejtorisë ose mësimdhënësit të matematikës.

Trajnimet do të jenë falas, ndërsa përzgjedhja e nxënësve do të bëhet nga shkollat, në bazë të konkursit të shpallur nga Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit.

Po ashtu, është hapur edhe thirrja për angazhimin e trajnerëve të matematikës për olimpiada, të cilët do të punojnë drejtpërdrejt me nxënësit përfitues të projektit “Math 4 Talents”.

Të gjitha këto të dhëna i ka bërë të ditura Bragan Isufi, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, i cili ka theksuar se projekti synon zhvillimin e potencialit akademik të nxënësve dhe krijimin e një baze të qëndrueshme për sukseset e ardhshme në fushën e matematikës.

Isufi ka ftuar nxënësit e interesuar dhe trajnerët potencialë që të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara, duke theksuar rëndësinë e investimit në talentet e reja dhe cilësinë e arsimit matematikor në komunën e Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët