Komuna e Gjilanit, përmes Njësisë për të Drejta të Njeriut, në bashkëpunim me Policinë, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën e Avokatit të Popullit, ka organizuar një ligjëratë ndërgjegjësuese në ShFMU “Musa Zajmi”, në kuadër të fushatës për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës që përfaqësuan të gjitha shkollat fillore të komunës, të cilët përmes diskutimeve dhe pyetjeve të hapura patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth këtij fenomeni, formave të tij dhe mënyrave për ta identifikuar dhe raportuar.
Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse ndanë përvoja nga terreni, duke theksuar se parandalimi fillon me vetëdijesim dhe edukim, me informimin e të rinjve, familjeve dhe komunitetit për rreziqet që fshihen pas këtij fenomeni dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët.
Nxënësit treguan interesim të madh, duke ndarë ide për mënyra konkrete se si secili mund të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe të ndërgjegjshëm.
Takimi u përmbyll me mesazhin:
“Të gjithë kemi një rol në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore , duke ngritur zërin, duke vepruar me përgjegjësi dhe duke mbështetur njëri-tjetrin.”


