Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar raportin javor mbi aktivitetet në trafikun rrugor, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 13–19 shkurt 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.439 gjoba.
Sipas komunikatës për media, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, kanë hetuar 17 aksidente me dëme materiale dhe 17 aksidente me persona të lënduar.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe: 24 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 38 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 23 gjoba për modifikim të automjeteve (xhamat e errësuar), si dhe janë vendosur 50 masa ndalimi të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve të ndryshëm.
Policia Rajonale e Gjilanit apelon te të gjithë ngasësit që gjatë drejtimit të automjetit të kenë me vete Raportin Evropian të Aksidenteve, ashtu siç parashihet me Ligjin për Rregullat në Trafikun Rrugor. Mosposedimi i këtij dokumenti dënohet me 50 euro gjobë.
Po ashtu, në rast të aksidenteve me dëme të vogla materiale, kur palët pajtohen për rrethanat e ngjarjes, ato janë të obliguara ta plotësojnë dhe nënshkruajnë Raportin Evropian të Aksidenteve.
Policia rikujton se ky raport nuk plotësohet në rastet kur ka persona të lënduar apo viktima, ku njoftimi i Policisë është i detyrueshëm.

