Sukseset e disa mendjeve brilante të Kosovës nuk janë vetëm arritje personale, por krenari për gjithë vendin. Ato dëshmojnë se ëndrrat akademike të rinisë kosovare mund të bëhen realitet dhe të hapin dyer të reja për të ardhmen.
Një shembull i tillë është Dren Qerimi nga Gjilani, i cili është nderuar me një çmim prestigjioz në Universitetin e Illinois, për kërkime shkencore të jashtëzakonshme në një fushë kritike të bioinxhinierisë dhe shkencës së plazmës. Ky vlerësim konsiderohet një nga arritjet më të larta për studiuesit e rinj në këtë fushë.
Në njoftimin zyrtar është shkruar:
“Urime asistentit hulumtues të NPRE-së, profesorit Dren Qerimi, i cili është shpallur fitues i çmimit të Investigatorit të Ri të Divizionit të Shkencës dhe Teknologjisë AVS. Ky çmim njeh kontribute të jashtëzakonshme bazë dhe të aplikuara në fushat me rëndësi për Divizionin.”
I emocionuar për këtë sukses, Qerimi është shprehur mirënjohës për mbështetjen e kolegëve, mentorëve dhe studentëve që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij akademik:
“Ky vlerësim në fushën e fizikës plazmatike nuk është vetëm rezultat i punës sime, por edhe i mbështetjes, bashkëpunimit dhe frymëzimit që kam marrë nga kolegët, mentorët dhe studentët e mi.”
Ky çmim jo vetëm që e vendos emrin e tij në mesin e studiuesve të rinj më premtues ndërkombëtarisht, por gjithashtu e bën Kosovën krenare për një të ardhme të ndritur në shkencë dhe inovacion.