Mesazhi i fortë i Grida Dumës për “Tetorin Rozë”: Gratë dhe zonjat që luftojnë çdo ditë

 

Gazetarja, moderatorja dhe ish-politikania shqiptare Grida Duma, e njohur për mendimin e saj të qartë dhe kritik, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për “Tetorin Rozë”, muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Gjatë hapjes së emisionit të saj “Top Story”, Duma theksoi se është koha që kjo fushatë të mos kufizohet vetëm në sensibilizim simbolik me fjongon rozë, por të shtrihet në analiza të thella për përgjegjësinë shtetërore dhe institucionale ndaj të prekurve nga kjo sëmundje.

“Tetori rozë ka qenë një fushatë sensibilizuese. Një prime time si ‘Top Story’ ka detyrën dhe misionin të mos ndalet te ndërgjegjësimi individual, por të trajtojë situatën në thellësi. Sepse kur edhe sëmundja detektohet në kohë, vijon një zinxhir i gjatë, nga mjekimi, protokollet shëndetësore, medikamentet, deri te gjendja psikologjike e të sëmurit dhe e familjarëve të tij,”,  u shpreh ajo.

Sipas Dumës, ndërgjegjësimi publik është i rëndësishëm, por nuk mjafton:

“Nuk kanë munguar fjongot rozë në parlament, në media apo rrjetet sociale, dhe as ata që kanë ndarë historitë e tyre të vuajtjes. Por tani duhet të fillojmë analizën e përgjegjësisë shtetërore, spitalore e mjekësore, në sistemin publik dhe privat. Shqipëria duhet të jetë në hap me kohën, si një vend që në vitin 2030 synon të jetë pjesë e hapësirës evropiane.”

Me këtë mesazh, Grida Duma u bë zë i atyre grave dhe zonjave që çdo ditë përballen me sfidën e kancerit, duke kërkuar jo vetëm ndjeshmëri, por edhe përgjegjësi reale nga institucionet.

 

Shpërndaj me të tjerët