Libri mbetet miku më i mirë i nxënësve, dhe këtë e ka dëshmuar më së miri mësuesi Naim Sadiku.
Në një akt fisnik dhe bujar, ai ka dhuruar mbi 300 tituj nga biblioteka e tij personale për Bibliotekën e Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Vesel Muja” në Mihir.
Siç ka theksuar mësuesi Naim, ky donacion vjen si dëshirë për t’u dalë në ndihmë nxënësve që kanë pasion leximin, duke ua bërë më të qasshme letërsinë dhe dijen.
Me këtë pasurim, nxënësit e Mihirit tashmë do të kenë në dispozicion një gamë shumë më të gjerë titujsh dhe lektyrash shkollore.
Ky gjest është vlerësuar lart nga drejtori i shkollës, Ajvaz Beqiri. Ai ka falënderuar publikisht mësuesin Naim për dhurimin e 300 lektyrave, duke e cilësuar këtë si një kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen cilësore të procesit mësimor.
Në një kohë kur teknologjia dominon përditshmërinë, shembulli i mësuesit Naim Sadiku shërben si një thirrje për të gjithë: libri vazhdon të jetë burimi më i pastër i edukimit dhe një mik i pazëvendësueshëm për rritjen intelektuale të gjeneratave të reja.

