Gjilanit i kushtuan minutat shtesë në të dyja pjesët e lojës, pasi Ferizaji arriti të barazojë rezultatin në secilën prej tyre.
Në ndeshjen e javës së 14-të, e zhvilluar në Gjilan, skuadrat u ndanë me rezultat të barabartw 2:2.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 21-të, kur sulmuesi korpulent Jaroviq zhbllokoi rezultatin nga afërsia, duke shënuar në portën e zbrazët të portierit Terziu.
Në minutën e 30-të, një gol i Sadriut për Ferizajn u anulua pas rishikimit në VAR.
Në minutën e fundit të shtesës së pjesës së parë, Jakup Berisha me një gol spektakolar barazoi shifrat në 1:1.
Pjesa e dytë nisi mirë për Gjilanin.
Në minutën e 61-të, sërish Jaroviq shënoi për 2:1 me goditje me kokë, pasi më herët kapiteni Thaçi kishte harkuar nga krahu i djathtw.
Në fund të takimit, në minutat shtesë, Ferizaji zhvilloi një aksion të gjatë, dhe Berisha realizoi një gol të bukur që fillimisht u anulua nga gjyqtari kryesor me asistencën e VAR-it.
Pas rishikimit u akordua penalti për Ferizajn, për shkak se Jaroviq kishte ndërhyrë rrezikshëm brenda zonës së portës.
Ai u ndëshkua edhe me karton të kuq.
Nga pika e bardhë, Jakup Berisha u tregua i saktë, duke barazuar rezultatin në 2:2 dhe duke vulosur epilogun e ndeshjes.
Ferizaj, pavarësisht barazimit, tregoi një paraqitje shumë të mirë në këtë përballje, ndërsa Gjilani ka ende për të mësuar si të mos e humbasë rezultatin në minutat e fundit.

