Mirlind Daku viziton SC Gjilanin në përgatitjet në Antalya

 

Futbollisti gjilanas dhe reprezentues i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, ka vizituar ekipin e SC Gjilanit, i cili aktualisht po zhvillon fazën përgatitore në Antalya të Turqisë.

Daku, i cili hapat e parë në futboll i ka bërë pikërisht në shkollën e futbollit të Gjilanit, sot është një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar.

Ai aktivizohet me skuadrën ruse Rubin Kazan, ku njëkohësisht është edhe golashënuesi më i mirë i ekipit.

Sulmuesi gjilanas vlerësohet si një nga më të mirët në Premier Ligën e Rusisë, falë paraqitjeve të tij të qëndrueshme dhe instinktit të theksuar për gol.

Aktualisht, Daku ndodhet në fazë rikuperimi pas një lëndimi, ndaj po zhvillon program individual stërvitor, i ndarë nga pjesa tjetër e skuadrës.

Vizita e tij në kampin përgatitor të SC Gjilanit u prit me kënaqësi nga stafi drejtues, teknik dhe futbollistët, duke shërbyer si motivim për ekipin dhe dëshmi e lidhjes së fortë që Daku vazhdon ta ketë me qytetin e tij të lindjes,  ku nisi rrugëtimin e tij sportiv.

Shpërndaj me të tjerët