Mjeku që s’u ndal as në luftë, zemra dhe dora e shpresës për Malësinë

 

Dr. Xhevat Demiri, i njohur ndryshe si “Ambasadori i Malësisë”, mban këtë nofkë jo pa arsye: ai është mjeku i parë i kësaj ane, një treve e lënë për shumë kohë në harresë dhe me mungesë të theksuar të kuadrove shëndetësore.

Me përkushtim, humanizëm dhe dije, ai jo vetëm që i ka shërbyer popullatës, por edhe ka ngritur standardet e mjekësisë në Anamoravë.

Frymëzimi për t’u bërë mjek i kishte lindur qysh në fëmijëri, kur kishte vizituar të afërmit në spitalin e Vranjës. Aty kishte parë për herë të parë punën e mjekëve dhe ishte magjepsur nga mantilbardhët.

Që nga ajo ditë, kishte vendosur: do të bëhet mjek, infektolog, për të ndihmuar në luftimin e sëmundjeve ngjitëse, të cilat ishin shumë të përhapura në atë kohë, siç ishte typho abdominale.

Pasi përfundon shkollën e mesme në Gjilan, ku familja e tij ishte shpërngulur në vitet ‘60 nga fshati Ramabuqë,  në vitin 1974 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, të cilin e përfundon në vitin 1980. Specializimin në infektologji e përfundon në Sarajevë në vitin 1985.

Karrierën e nis në Spitalin Rajonal të Gjilanit në vitin 1981, ndërsa për një periudhë prej gjashtë muajsh punon edhe në fshatin Muhoc të Bujanocit, për shkak të detyrimit si bursist.

Nga viti 1983 nis specializimin, dhe pas përfundimit, emërohet ushtrues detyre i shefit të repartit të infektologjisë, një repart që në atë kohë ishte në gjendje të rëndë si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe në mungesë të kuadrove.

Me përkushtimin e tij, ai e rikthen këtë repart në një nga më të organizuarit në spital, veçanërisht gjatë kohës së helmimeve të nxënësve në vitet ’90, ku reparti i infektologjisë ishte boshti kryesor i trajtimit.

Dr. Demiri ishte emëruar udhëheqës i ekipit të mjekëve për këtë rast, duke dëshmuar kompetencë dhe profesionalizëm të lartë.

Ai ishte infektologu i parë në gjithë Anamoravën, përfshirë komunat si Ferizaj, Viti, Gjilan e Kamenicë.

Gjatë luftës dhe burgosja nga forcat serbe

Më 20 tetor 1998, Dr. Xhevat Demiri emërohet komandant i spitalit ushtarak nga Ilmi Ramadani.

Me ardhjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut, ai riemërohet si drejtor i spitalit ushtarak nga Komandant Ahmet Isufi.

Më 11 maj 1999, ai burgoset nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe në hyrje të Gjilanit, pasi ishte kthyer nga një mision mjekësor në zonën e luftës.

Fillimisht mbahet në burgun e Gjilanit, për t’u transferuar më pas në burgun famëkeq të Vranjës, ku kalon ditë të vështira deri më 14 qershor, kur lirohet. Vetë pohon se është maltretuar si të gjithë të tjerët që ishin pjesë e rezistencës.

Kur një jetë e vogël shpëtohet në mes të luftës

Dr. Demiri nuk e harron një rast të veçantë nga koha e luftës, kur gjatë një aksioni mjekësor në zonat e liruara, në fshatin Bresalc, kishte dhënë ndihmën e parë një vajze vetëm 2-vjeçare që ishte plagosur. Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale kishte shpëtuar jetën e saj, dhe sot, ajo vajzë është plotësisht e shëndoshë dhe jeton jashtë vendit.

Ky moment, siç e kujton ai vetë, është dëshmi e fuqisë që ka mjeku për të ndryshuar fate njerëzore, edhe në kohët më të errëta.

Paslufta dhe angazhimi në organizimin e shëndetësisë

Pas çlirimit, Dr. Demiri emërohet drejtor i parë i Spitalit Rajonal në Gjilan, ku bën organizimin dhe funksionalizimin e reparteve, të cilat funksionojnë edhe sot në bazë të strukturës që ai ka ndërtuar.

Përveç përkushtimit profesional, ai ka qenë aktiv edhe në jetën politike e shoqërore.

Ka qenë asamblist i PDK-së në zgjedhjet e para komunale në Gjilan, ka udhëhequr sektorin e shëndetësisë në këtë parti dhe ka qenë anëtar i kryesisë së saj.

Si dhe dy herë asamblist i AAK-së  në Kuvendin Komunal në Gjilan

Para luftës, ka qenë i përfshirë edhe në nisma të rëndësishme shoqërore: Anëtar i kryesisë themeluese të LDK-së në Gjilan, anëtar i organizatës “Rilindja” në Gjilan, anëtar i Forumit Intelektual të Kosovës nën udhëheqjen e akademik Rexhep Qosjes, Kryetar i solidaritetit të punëtorëve shëndetësorë, kryetar i sindikatës së shëndetësisë në Gjilan, anëtar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve,Udhëheqës i ekipit për trajnimin e punëtorëve për luftë çlirimtare.

Sot, me të njëjtin përkushtim

Edhe pse tashmë në pension, Dr. Xhevat Demiri nuk është ndalur. Ai ka hapur ordinancën private “Therapy” në Gjilan, ku ka të punësuar katër persona.

Pacientët e tij vijnë nga i gjithë rajoni,  një dëshmi e besimit që gëzon ky mjek me përvojë të jashtëzakonshme.

 

Shpërndaj me të tjerët