Mrekullia që sporti dhe aktiviteti fizik bën në trurin e njeriut

 

Shkruan: Mimoza Shkodra

Shpesh, kur flasim për aktivitetin fizik, mendja na shkon menjëherë te forma trupore, peshë, muskuj apo energji fizike. Por ka diçka shumë më të thellë që ndodh gjatë lëvizjes… një proces i fuqishëm, pothuaj magjik, që zhvillohet brenda kokës sonë: në tru.

Truri është organi më i ndërlikuar i trupit të njeriut dhe një nga përfituesit më të mëdhenj të aktivitetit fizik. Në fakt, mund të themi me bindje se kur lëvizim trupin, lëvizim edhe mendjen. Lëvizja fizike është, në thelb, edhe ushtrim për shëndetin mendor.

Kur lëviz trupi, qetësohet mendja

Që në minutat e para të aktivitetit fizik, truri fillon të çlirojë endorfina… ato kimikate që na japin ndjenjën e kënaqësisë dhe reduktojnë stresin. Krahas tyre, dopamina dhe serotonina na ndihmojnë të balancojmë emocionet dhe të përmirësojmë humorin. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë pas një ecjeje të thjeshtë ndjehemi më të lehtësuar, më të kthjellët, më të pajtuar me veten.

Sipas një raporti të Harvard Medical School, ushtrimet fizike ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e depresionit dhe ankthit. Jo vetëm si terapi ndihmëse, por si një mënyrë e fuqishme natyrore për të rikthyer balancën mendore.

TRURI nuk është “i ndarë” nga trupi

Një nga gabimet më të mëdha që e bëjmë shpesh në arsim, në sport apo në jetë të përditshme, është trajtimi i trurit si të ndarë nga trupi.

Në të vërtetë, trupi dhe truri janë në një bashkëpunim të pandashëm.

Kur një nxënës përfshihet në lojëra aktive, ai/ajo jo vetëm po zhvillon aftësi motorike, por edhe rrit kapacitetin për përqendrim, kreativitet dhe të nxënë.

Një studim i “ University of British Columbia” tregon se aktivitetet aerobike (si vrapimi apo noti) rrisin volumin e hippocampus-it, pjesë e trurit që lidhet me kujtesën dhe mësimin.

E thënë ndryshe: një fëmijë që lëviz më shumë, mëson më mirë.

Në një eksperiment interesant nga “ Stanford University”, u zbulua se krijimtaria rritet me 60% gjatë dhe pas ecjes.

Një ide që nuk vjen për orë të tëra para kompjuterit, shpesh vjen papritur kur po ecim në natyrë, të pa shpërqendruar dhe të çliruar.

Në kohën kur stresi kronik, ankthi dhe lodhja mendore janë bërë të zakonshme, lëvizja fizike është një nga mënyrat më të sigurta për parandalim dhe mbrojtje. “ The Lancet Neurology”ka theksuar se mungesa e aktivitetit fizik është ndër faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e demencës dhe Alzheimerit.

Në punën time me nxënës dhe sportistë, kam parë se si aktiviteti fizik ndikon edhe në vetëvlerësim, vendimmarrje, durim dhe aftësinë për të përballuar sfida.

Një nxënës që mëson të respektojë rregullat në lojë, mëson të respektojë kufijtë edhe në jetë.

Një sportist që mëson të humbasë me dinjitet, mëson të ngrihet edhe kur rrëzohet në sfidat e jetës.

Kur ndiheni të lodhur, të pashpresë, të turbullt mendërisht, mos mendoni gjithmonë për pushim, ndonjëherë përgjigjja është: lëviz!

Lëviz për qartësi. Lëviz për qetësi. Lëviz për shëndet

Trupi është ura e parë drejt vetes. Dhe në këtë urë, truri është udhëheqësi që na udhëzon drejt një versioni më të kthjellët, më të fuqishëm e më të lumtur të vetes sonë.

(Autorja është Prof. Dr e Edukatës Fizike dhe ish volejbolliste)

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët