Mulliri i fshatit Pidiq dhe kujtesa e traditës rurale

 

Muhadin Hazeri, këshilltar komunal i LDK në Gjilan dhe banor nga Zhegra e  Karadakut, ka ndarë disa foto gjatë vizitës së tij në mullirin e fshatit Pidiq, në zonën e njohur si Vrella e Pidiqëve.

Kjo përroskë dikur njihej për numrin e madh të mullinjve të ujit, të cilët funksiononin gjatë gjithë vitit për shkak të ujit të përhershëm.

Sipas të dhënave historike lokale, kjo përroskë kishte rreth 6 mullinj, dhe dy prej tyre punonin edhe në kohët moderne, duke lënë të dëgjohej zhurma karakteristike e gurëve që rrotulloheshin me fuqinë e ujit.

Shumica e mullinjve sot kanë mbetur vetëm rrënoja.

“Mullinjtë në këtë zonë kanë qenë të rëndësishëm për komunitetin rural, jo vetëm për bluarjen e drithit, por edhe si vend takimi e bisedash midis banorëve”, ka theksuar Hazeri.

Ai ka shtuar se shumica e mullinjve të ujit në fshatrat e Kosovës tani janë jashtë përdorimit dhe kanë mbetur si objekte historike, ndërsa vetëm disa, si ai i Elezit në Pidiq, funksionojnë ende.

Kjo vizitë dhe dokumentimi i Hazerit rikthen kujtesën e një tradite të rëndësishme rurale dhe tregon lidhjen e komunitetit me natyrën dhe teknologjitë tradicionale të ujit.

Shpërndaj me të tjerët