Suksesi i FC Dritës nuk është i rastësishëm. Ai është rezultat i një pune të vazhdueshme, organizimi të mirë dhe vizioni të qartë.
Pa mohuar kontributin e presidentëve Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku, të lojtarëve, stafit teknik dhe gjithë ekipit përcjellës, është e pamohueshme se një pjesë e madhe e këtij suksesi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e një binomi të fuqishëm brenda klubit.
Në qendër të këtij organizimi qëndrojnë Feti Murseli, drejtori i përgjithshëm i klubit, njeriu i stabilitetit financiar dhe i besimit institucional, si dhe Valon Zymberi, drejtori sportiv, figura kyçe për ndërtimin e skuadrës, angazhimet dhe përforcimet e lojtarëve.
Ata përfaqësojnë softuerin dhe harduerin e Dritës, dy shtylla pa të cilat klubi nuk do të funksiononte në nivelin aktual.
Njëri garanton sistemin dhe vazhdimësinë, tjetri forcën dhe konkurrencën sportive.
Në një koordinim të rrallë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, ata kanë ndërtuar një strukturë funksionale dhe të qëndrueshme.
Janë si dy krahët e aeroplanit: pa njërin nuk ka ngritje, pa tjetrin nuk ka drejtim.
Falë këtij bashkëveprimi, Drita sot jo vetëm konkurron, por edhe shkruan histori, duke sjellë emra të njohur në fanellën bardhekaltër dhe duke ndërtuar një identitet serioz sportiv.
Komunikimi i tyre me stafin teknik, lojtarët, tifozët dhe mediat është korrekt dhe i hapur.
Kanë krijuar autoritet dhe respekt pa zhurmë, duke përballuar me profesionalizëm çdo sfidë apo pengesë që ka dalë në rrugëtimin e klubit.
Të hapur ndaj kritikës dhe sugjerimeve, por të palëkundur në synimet e tyre, Feti Murseli dhe Valon Zymberi vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet suksesi i FC Dritës.
Ky binom ka funksionuar në mënyrë shembullore, dhe pikërisht aty lidhet një pjesë e madhe e historisë së re të Dritës.

